1 1 Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. 2 Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij; 3 Judës i lindën prej Tamarës Faresi dhe Zara, Faresit i lindi Hesromi, Hesromit i lindi Arami, 4 Aramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salmoni, 5 Salmonit i lindi Boezi prej Rahabës, Boezit i lindi Jobedi prej Rutës, Jobedit i lindi Jeseu, 6 Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Davidit i lindi Solomoni nga gruaja e Urias, 7 Solomonit i lindi Roboami, Roboamit i lindi Abiu, Abiut i lindi Asafi, 8 Asafit i lindi Josafati, Josafatit i lindi Jorami, Joramit i lindi Ozia, 9 Ozisë i lindi Joatami, Joatamit i lindi Akazi, Akazit i lindi Ezekia, 10 Ezekisë i lindi Manaseu, Manaseut i lindi Amosi, Amosit i lindi Josia, 11 Josisë i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni. 12 Pas shpërnguljes në Babiloni, Jekonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, 13 Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, 14 Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, 15 Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. 16 Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht. 17 Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni. 18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë. 19 Por, meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. 20 Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr dhe i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i Shenjtë. 21 Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre». 22 E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit: 23 «Virgjëresha do të ngjizet dhe do të lindë një djalë, që do të quhet Emanuel,m që e përkthyer do të thotë: «Perëndia» është me ne. 24 Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, 25 por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin, të cilit Jozefi i vuri emrin Jezu.
Prev
Play
Next
Volume
Speed
0.7511.251.52